Buscar

Sistemi arsimor në Shqipëri

Prévia do material em texto

Sistemi arsimor në Shqipëri
Një ndër shtyllat kryesore dhe një komponent identifikues për zhvillimin e një vendi… ky është sistemi arsimor. Rëndësia që i kushtohet sektorit të arsmimit tregon seriozitetin dhe angazhimin e një vendi ndaj edukimit. Edukimi, i cili nis në bangat e shkollës dhe vijon gjatë gjithë jetës, është një cikël i nevojshëm për emancipimin e individëve dhe përfshirjen e tyre në shoqëri, për ta bërë vendin e tyre më të mirë për të jetuar. Po në Shqipëri çfarë konsiderate i jepet sistemit arsimor?
Sistemi arsimor bazuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë konsiderohet si ndër fushat prioritare ku qeveria ka vazhduar dhe vazhdon të investojë duke i kushtuar reforma të një rëndësie të veçantë. Hapat e edukimit ndihmojnë gjeneratën e re të formohet, të integrohet që të marrë në dorë frerët e jetës së tyre e ndoshta në një të ardhme edhe frerët e shtetit. Por pavarësisht përpjekjeve për të realizuar më të mirën, do të ketë gjithmonë disa anë positive dhe negative të sistemit arsimor.
Gjatë viteve të fundit arsimi ka hasur disa ndryshimë rrënjësore duke tentuar që t’i përshtatet përherë e më tepër praktikave europiane. Jo më larg se 4 vite më parë filloi ndrsyhimi rrënjësor i librave që te klasat e para e deri te shkollat e mesme, duke futur koncepte te reja. Shpeshherë këto libra ishin të papërpunuara siç duhet, madje duke lënë mjaft fjalë të papërkthyera ose të përkthyera keq. Nxënësit kishin pakënaqësi nga këto informacione të cunguara dhe jo të plota. Po të bëhet krahasimi i dijeve të një nxënësi me ato që do t’i nevojiten kur ai të shkojë në universitet, do të vihet re se ekziston një disnivel dhe kjo është një barrë që bie në supet e studentit duke iu dashur të bëjë me tepër përpjekje në vijim. Pavarësisht se tekstet mësimore të sistemit parauniversitar janë ndryshuar, tekstet universitare në mjaft raste janë të vjetra dhe jo shumë koherente ndaj zhvillimit, pra nëse duhet bërë ndryshimi në arsim duhet të përfshijë të gjitha hallkat.
Një tjetër problem i arsimit, kryesisht i atij publik, janë kushtet e shkollave. Ka shumë shkolla që kanë nevojë të menjëhershme për rikonstruksion qoftë të jashtëm ose të brendshëm. Moszhvillimi i laboratoreve, si pasojë e mungesës së ambjenteve dhe paisjeve përkatëse ose mosmirëmbajtjes së tyre, ka qenë dhe vazhdon të jetë një pengesë në zbatimin praktik të njohurive. Nuk mund të arrihet një mësimdhënie e sukseshme në të tilla kushte pasi një nxënësi krahas anës teorike i nevojitet edhe ana praktike. Prandaj mënyra e duhur do të ishte një angazhim serioz nga instancat përkatëse për sigurimin e këtyre mjeteve. 
Nga ana tjetër, nuk mund të lihet kurrsesi pa vlerësuar puna e mësuesve dhe pedagogeve të këtij sistemi arsimor, që pavarësisht se nuk kanë kushtet e duhura, i improvizojnë ato dhe japin më të mirën e tyre. Ata janë të palodhur dhe nuk ngurrojnë të japin këshilla sesi duhet të veprojmë për t’ia dalë mbanë në jetë. Sigurisht ka edhe nga ata që nuk e meritojnë këtë titull të veçantë, por numri i tyre është shumë i vogël krahas atyre që nuk kursehen dhe me të vërtetë kanë çfarë t’u japin këtyre brezave.
Po ashtu edhe nxënësit shqiptarë janë gjithmonë këmbëngulës dhe të qartë se me një edukim të mirë mund të ecin në jetë. Familjet shqiptare, ndonëse shpeshherë nuk i ofrojnë mundësite ekonomike ashtu siç do të duhej duke iu bazuar standardeve, nuk rreshtin kurrë së mbështeturi fëmijët e tyre. Ata janë të pakufizuar me suportin në çdo hap të jetës duke bërë të sigurt që këta nxënës dhe student në të ardhmen do të dinë si të përballojnë vështirësite. Në Shqipëri edhe jashtë, statistikat kanë treguar se nxënësit e studentët shqiptarë kanë kurajo dhe kanë arritur të ndjekin studimet në shkolla e universitete ndërkombëtare duke u rankuar me dinjitet për arritjet e tyre.
Gjithmonë do të ketë mangësi dhe pakënaqësi, por është e rëndësishme të theksohet se arsimi në Shqipëri është tepër efiçent dhe nxënësit e studentët që dalin nga bangat shqiptare përfaqësojnë denjësisht veten dhe kombin e tyre.Ata arrijnë që në të ardhmen t’ia dalin dhe kur të jenë në moshë punë të integrohen me tregun vendas dhe të huaj. Gjithashtu është edhe një detyrë e shtetit dhe qeverisë që duhet të mos ndalet kurrë së punuari për arsimimin dhe edukimin e popullsisë së tij, pasi një popull i arsimuar mund të arrijë gjithçka.

Continue navegando